214 persona janë arrestuar në operacionin antidrogë të finalizuar mëngjesin e sotëm në vend.

 

Në një konferencë për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha se fokusi i operacionit ishte goditja e shpërndarjes së drogës në afërsi të shkollave, por edhe ambienteve të tjera.

 

Në total, Rrumbullaku tha se janë lëshuar 296 masa sigurie arrest në burg dhe janë kontrolluar 356 ambiente të ndryshme.

 

Prej tyre, janë ekzekutuar 214 masa sigurie arrest me burg, 19 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 82 persona janë shpallur në kërkim.

 

Sipas Rrumbullakut, një pjesë e madhe e të arrestuarve janë anëtarë të 23 grupeve kriminale, në qytete si Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani e Vlora.

 

Gjatë këtij operacionit janë sekuestruar lëndë narkotike si kokainë, heroinë, kanabis, armë zjarri, vlera monetare të konsiderueshme, etj.