Në një konferencë për mediat, Ministri i Brendshëm Taulant Balla, u shpreh lidhur me operacionin anti-drogë të zhvilluar ditën e sotme se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike.

 

Balla thotë se gjatë kontrolleve në vend janë zbuluar llojë të lëndëve narkotike që nuk dihej se ekzistonin brenda territorit të Shqipërisë.

 

“Janë zbuluar drogëra gjatë kontrolleve që ne nuk e dinim se ekzistonin në Shqipëri. Kur shpalla më 1 Shtator Planin e Masave për Sigurinë në Shkolla kisha parasysh këtë situatë alarmi social. Ministria e Brendshme, qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar për ta luftuar në çdo qelizë këtë rrjet.”

 

Ministri nënvizoi faktin se asnjë grup kriminal nuk do të lejohet të veprojë brenda perimetrit të sigurisë në shkollat e vendit ndërsa theksoi se dënimi për raste të tilla do të dyfishohet.

 

“Ministria e Brendshme synon të ngrejë në ditët në vijim një aleancë ndërinstitucionale dhe mbarëqytetare kundër përdorimit të drogës. Dua të garantoj sot më shumë se më parë, prindërit e gjyshërit që dërgojnë fëmijët në shkolla se Paketa jonë e Sigurisë po jep rezultatet e para dhe do të bëjmë të pamundurën që brenda këtij perimetri, grupet kriminale të mos afrohen. Do dyfishohen format e dënimit për shpërndarjen e shitjen e lëndëve narkotike brenda perimetrit të sigurisë së shkollave. E nxis Policinë e Shtetit ta ruajë këtë qasje të re në luftën kundër narkotikëve, është përgjegjësi e përbashkët e jona për ta çuar në nivel tjetër edhe qasjen e vetëpastrimit në radhët tona. Ky ishte operacioni i parë i këtij niveli dhe ju mos u habisni kur të kemi ngjarje të tilla në vijim”-tha Balla.