Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi sot se “me rritjen e pagave që do të bëhet në korrik, realizojmë një pritshmëri shumëvjeçare të punonjësve të Policisë dhe kemi një rritje të fortë të pagave, e cila vjen për shkak të mirëmenaxhimit financiar”.

Balla u shpreh për mediet se, sa i përket pagave, me Kryeministrin dhe Ministrin e Financave po vazhdohet një diskutim intensiv për të shkuar te varianti përfundimtar.

“Siç e dini, në buxhetin e shtetit 2024 është parashikuar një fond prej gati 400 milionë dollarë, i cili është aty jo vetëm për punonjësit e policisë, që të jem i qartë, ai fond është edhe për punonjësit e sektorëve të tjerë jetikë si arsimi, shëndetësia, FA, por natyrshëm Policia e Shtetit meriton këtë vlerësim nga ana e qeverisë sonë, duke pasur parasysh sfidat e mëdha që ka Policia e Shtetit edhe gjatë këtij viti, ku ju e dini që fokusi kryesor është mirëmenaxhimi i sezonit turistik. Ky është një vit ku presim një rritje tjetër historike të numrit të vizitorëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar, por edhe të përgjegjësive që ka Policia e Shtetit lidhur me sigurinë publike në çdo komunitet të vendit”, tha Balla.

Ministri përshëndeti aksionin më të fundit të DVP Tiranë, të cilët në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla dhe garantimit të sigurisë në komunitet, vijojnë punë e tyre intensive kundër fenomeneve të ndryshme që shqetësojnë qytetarët sikurse është fenomeni i përdorimit të lëndëve narkotike, ai i armëmbajtjes pa leje e problematika të tjera.

“Unë jam shpresëplotë që punonjësit e Policisë së Shtetit, në 1 korrik, lajmin e shumëpritur do ta kenë të realizuar tashmë, pa dyshim edhe Garda e Republikës”, tha Balla./ata