Rreth 7 mijë emigrantë mbërritën brenda 24 orësh në ishullin Italian të Lampeduzës, pika e parë e hyrjes për azilkërkuesit që synojnë të lëvizin më pas drejt veriut dhe vendeve të tjera të BE-së.

 

Momente tensioni janë regjistruar në portin e Lampedusa, ku agjentët e Guardia di Finanza u përpoqën të frenonin qindra emigrantë që kërkonin të çanin kordonin.

 

“Çështja është ndalimi i ardhjeve në Itali”, thotë kryeministrja Giorgia Meloni e cila do të jetë sot në Hungari, ku do të takohet me Presidentin Victor Orban.

 

Gjatë një interviste në radion dhe televizionin publik Rai, Melonj tha:

 

“Zhvendosja është e një rëndësie dytësore, muajt e fundit ato kanë qenë minimale. Problemi është ndalimi i ardhjes së emigrantëve në Itali, por ende nuk kam parë ndonjë përgjigje konkrete”, u shpreh ajo duke shtuar se “përpara pak kohësh, Italia informoi partnerët e saj se nuk mund të marrë automatikisht ata që kërkojnë azil në vende të tjera, por shkelin më së pari në tokën e saj”.

 

“Pikat tona të nxehta janë plot dhe Europa duhet të na ndihmojë të mbrojmë kufijtë tanë.”

 

Rezidenca e vetme e emigrantëve në Lampeduza ka një kapacitet prej rreth 450 shtretërish, e në këto kushte, autoritetet janë përpjekur t’i transferonin të mbërriturit në Siçili, ose në Kalabri.

 

Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, mbi 120,000 emigrantë kanë mbërritur në Itali këtë vit nga deti, mes tyre ishin mbi 11,000 të mitur të pashoqëruar

 

Këshilli i qytetit të Lampedusa ka shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme” pas valës së zbarkimit të emigrantëve në ishull.

 

OKB-ja gjithashtu ka ndërhyrë në çështjen e Lampedusës.

“Përpjekjet nuk mund të bëhen vetëm nga vendet e mbërritjes së parë, por duhet të ndahen, ky është një problem i BE-së dhe duhet të ketë mekanizma solidariteti”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

 

“Në rrjedhë ka refugjatë dhe njerëz që lëvizin në thelb për arsye ekonomike, të gjithë duhet të respektojnë të drejtat e tyre njerëzore, por ka një mënyrë për të dalluar statusin e refugjatit”, shtoi ai.