Qendra Operacionale e Sigurisë Kibernetike, një strukturë e sigurisë së lartë, e ngritur nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, monitoron në mënyrë të vazhdueshme, në kohë reale, të gjitha kërcënimet kibernetike të cilat kryhen në territorin e Shqipërisë, por edhe më gjerë. Falë ekspertizës dhe platformave mbështetëse, kjo qendër arrin të parashikojë kërcënimet kibernetike që mund të vijnë drejt infrastrukturave tona kritike.

 

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në zyrat e AKCESK, ku së bashku me drejtorin e këtij institucioni Igli Tafa inspektoi nga afër aktivitetin e kësaj qendre, u njoh me rezultatet e arritura deri më tani, por edhe objektivat.

 

Drejtori Tafa e informoi se krahas punës që po bëhet nga ekspertët e AKCESK, kjo qendër është në kontakt të vazhdueshëm, duke shkëmbyer informacione edhe me institucionet homologe në vendet më të zhvilluara të mbrojtjes kibernetike.

 

“Partnerët tanë me të cilët ne shkëmbejnë vazhdimisht informacione, për të mirën e ekosistemit kibernetik shqiptar, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli, të cilët kanë qenë gjithmonë pjesë e rasteve kritike apo shumë të rrezikshme me të cilët kemi ndarë eksperiencën. Kemi përfituar nga eksperienca e tyre si vende lider në fushën e sigurisë kibernetike”, tha Tafa.

 

Siguria kibernetike, u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku, është një ndër elementët më të rëndësishëm, duke pasur parasysh se tashmë Shqipëria ka hedhur hapa të konsiderueshëm drejt dixhitalizimit të shërbimeve.

 

“Qeveria shqiptare ka vendosur prej kohësh që të dixhitalizojë të gjitha proceset, sidomos ato të shërbimeve, por nga ana tjetër edhe proceset operacionale tek infrastruktura kritike dhe jo kritike, kështu që detyrimisht shkalla e sigurisë kibernetike duhet të jetë sa më e lartë. Sot, që praktikisht ne po kalojmë në një sistem pa letra, me burokraci zero, me korrupsion zero në të ardhmen, duke shkuar gjithmonë në kontakt direkt me virtualitetin, pra duke pasur shërbime dixhitale, sigurisht ju do t’u duhet që këto shërbime dixhitale të jenë gjithë kohën të mbrojtura. Ndaj dhe një nga qëllimet kryesore të qeverisë është të vazhdojmë dhe të mbështesim ngritjen e cilësisë së sigurisë kibernetike në Republikën e Shqipërisë”, theksoi Balluku.

 

Qeveria Shqiptare ka marrë të gjitha masat për ti krijuar kushtet e duhura kësaj agjencie, e cila ka arritur rezultate të rëndësishme gjatë vitit të fundit duke ngritur në një nivel tjetër sigurinë e rrjeteve shqiptare, në bashkëpunim edhe me partnerët.

 

“Kjo është një nga nuklat më të rëndësishme sot të dixhitalizimit, sepse çdo hap që ne bëjmë në fushën e dixhitalizimit, ne duhet të bëjmë një hap edhe në fushën e sigurisë kibernetike. Gjithçka që kemi arritur përmes diplomacisë kibernetike, gjithçka që kemi arritur përmes marrëdhënies së shkëlqyer tashmë të agjencisë me partneritetin e bizneseve private, që deri para disa kohësh ishte shumë e vështirë të perceptohej sesi ata mund të ndanin me ne të gjitha shqetësimet, problematikat e tyre, tregon se është bërë një punë e mirë”, u shpreh Balluku.

 

Pranë kësaj Qendre janë angazhuar ekspertë më të mirë të fushës në vendin tonë. Disa prej tyre janë të pajisur me certifikata ndërkombëtare që vërtetojnë se janë ndër ekspertët më të mirë në rajon.