Inflacioni për muajin prill ka arritur në 2.1% niveli më i ulët që nga 2021.
INSTAT shprehet se çmimet janë ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me një vit më parë, kur inflacioni qëndronte në 4.6%.
Gjatë prillit nënproduktet si frutat dhe perimet vijnë me rënie çmimi sipas INSTAT në krahasim me një vit më parë, ndërkohë dhe buka dhe ushqimet e tjera janë stabilizuar në nivelet e çmimeve që pësuan gjatë dy viteve të fundit, ku kriza e zinxhirit të furnizimit dhe më pas e energjisë goditi ekonominë globale.
Ushqimet gjithsesi në raportin e prillit vijojnë të jenë grupi kryesues për rritjen e inflacionit, ndjekur nga qiratë, uji dhe lëndët djegëse dhe më pas nga grupi i mobilieve, pajisjeve dhe mirëmbajtjes së shtëpisë.
Hotelet dhe kafenetë gjithashtu kanë njohur rritje të çmimit gjatë prillit.
Inflacioni arriti kulmin vitin e kaluar në nivelin 8.6%, por ka ardhur me rënie gjatë dy vitit të fundit, ndërsa Banka e Shqipërisë ka një objektiv që ta mbajë në 3%.
Tashmë institucioni qendror monetar ka në duar një bombë të nxehtë me inflacionin që nëse vijon të ulet më tej tregon situatën e një konsumi të dobët të popullatës dhe nëse vijon rritjen do të gërryejë edhe më shumë të ardhurat e qytetarëve.
Politika shtrënguese e Bankës së Shqipërisë ka bërë që normat e interesit në vend të rriten në 3.25% duke rritur këstet e kredive dhe rrjedhimisht “ftohjen” e ekonomisë.
Por, edhe pse inflacioni që prej janarit ka ardhur me ulje, të dhënat e Bankës së Shqipërisë në tremujorin e parë treguan se mund të ketë një valë tjetër të rritjes së çmimeve në gjysmën e dytë të këtij viti, gjë e cila ende e ka ndaluar institucionin monetar të fillojë lehtësimin e politikës monetare./TopChannel