Policia ka zbardhur detaje të reja nga aksidenti në Rrugën e Kombit që shkaktoi një viktimë.
Mësohet se si pasojë e përplasjes së dy mjeteve ka ndërruar jetë efektivi i policisë në Mirditë Gëzim Lazri.
Nga sa bëhet e ditur, ka qenë një manovër e gabuar e një mjeti tip ‘Chevrolet’ që drejtohej nga një malazez me iniciale M.F., që ka shkaktuar aksidentin.
Njoftimi i policisë:
Mirditë/Informacion paraprak
Rreth orës 07:20, në aksin rrugor Rrëshen-Rrubik, automjeti tip “Chevrolet” me drejtues shtetasin malazez M. F., është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin G. L. 56 vjeç, (efektiv policie pranë Komisariatit të Policisë Mirditë i cili sapo kishte lënë shërbimin dhe po kthehej në banesë).
Si pasojë e këtij aksidenti, ka humbur jetën punonjësi i policisë shtetasi G. L.
Ndërsa drejtuesi i automjetit tjetër shtetasi M.F., ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Paraprakisht, dyshohet se shkaku i aksidentit rrugor ka qenë parakalimi i gabuar në shkelje të rregullave të qarkullimit i automjetit tip “Chevrolet” që drejtohej nga shtetasi M.F.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe nën drejtimin e Prokurorit, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.