Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka dhënë një deklaratë për mediat pas mbledhjes së tretë të përbashkët mes deputetëve të PD-së, ku u shpreh se gjatë mbledhjes pati një solidaritet të plotë më kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata.

 

Gjatë fjalës së tij, Berisha ju ka bërë thirrje të gjithë kuksianëve që ditën e dielë, më 24 Shtator të votojnë për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

 

 “U shpreh solidariteti i plotë me Emri Vatën, i cili garon në Bashkinë e Kukësit pas një demaskimi moral dhe të gjithanshëm të përfaqësuesit të Edi Ramës, i cili ishte një copy-paste i Edi Ramës. Emri Vata ka besimin e plotë të të gjithë deputetëve të PD, besim se ai votën do e kthejë në shërbime transparente dhe përkushtim për qytetarët e Kukësit. Është rasti t’u bëj thirrje të gjithë kuksianëve, kudo që ndodhen, por që kanë qendrën e votimit në Kukës, të vijnë ditën e diel dhe me votën e tyre të firmosin fillimin apo agun e një ndryshimi të madh që e pret Shqipërinë. Në mbledhje u diskutua gjerësisht mbi axhendën parlamentare, u morën vendime të cilat zoti Bardhi do ua komunikojë. Unë them se ishte një mbledhje shumë e frytshme”-tha Berisha.

 

Zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit do të zhvillohen këtë të dielë, më 24 Shtator. Socialistët në këtë përballje elektorale do të garojnë me Albert Halilajn.