Shefi i organizimit të PD, Klevis Balliu, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Borizanë, Krujë, ku dy persona u dhunuan barbarisht nga pjesëtarë të fisit Rraja.

 

Për videon që tashmë është bërë virale në mediat sociale, Balliu thotë se tregon se si krimi dhe shteti janë bërë një.

 

Sipas tij,  bandat e Niklës nën udhëheqjen e vëllait të deputetit të Ramës në Krujë, Rrahman Rraja rrahën dy vëllezër nga një fshat i zonës. Ai thekson se faji i tyre është ankesa se gurorja e deputetit Rraja po u rrezikon shtëpinë.

 

Më tej Balliu shprehet se gjithë kjo situatë dëshmon se dhunuesit ndihen në kontroll dhe nuk kanë frikë nga shteti, ngaqë janë të lidhur me pushtetin dhe janë pjesë e tij.

 

“Ndërkohë që Edi Rama luan liderin global nëpër Ballkan, gangsterët e tij politikë dhe ekonomikë në Shqipëri dhunojnë qytetarët me shkopinj bejsbolli, shkelma, grushte e pistoletë te koka, në mes të ditës.

 

Një video që po qarkullon gjerësisht jep pamje tronditëse se si krimi dhe shteti janë bërë një. Bandat e Niklës nën udhëheqjen e vëllait të deputetit të Ramës në Krujë, Rrahman Rraja rrahin demonstrativisht dy vëllezër nga një fshat i zonës.

 

Faji i tyre është ankesa se gurorja e deputetit Rraja po u rrezikon shtëpinë.

Lehtësia me të cilën ushtrohet dhuna është tronditëse. Kjo dëshmon se dhunuesit ndihen në kontroll dhe nuk kanë frikë nga shteti, ngaqë janë të lidhur me pushtetin dhe janë pjesë e tij.

Partia Demokratike dënon me neveri dhe forcë këtë demonstrim force të pushtetit që është ngritur kundër qytetarëve të Shqipërisë.

 

Thirrja për hetime ka vend, por Shqipëria nuk është më vendi ku thirrjet dëgjohen nga institucionet, dhe ku ka burra e gra në shtet që mund të kthejnë përgjigje. Dyert e institucioneve të drejtësisë janë të mbyllura për të fortët, dhe të hapura kanat për të pamundurit, kur nuk paguajnë dot energjinë apo rregullojnë ballkonin pa leje.

 

Alarmi këtu nuk është vetëm dhuna në vetvete, por se si atë e ushtrojnë familjet e lidhura me pushtetin, familjet e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Me atë dhunë ata po thonë: ky është territori ynë, jo i krutanëve.

 

Sa për kujtesë, Rrahman Rraja është para kryeministrit Edi Rama në listën e qarkut të Durrësit. Me siguri do të jetë edhe në listën tjetër. Edi Rama ia ka dorëzuar Krujën Rrajas dhe Bushit, sepse vetëm me të ngjashmit e tyre ai mund ta gëzojë atë pushtet, që po me ata dhe të tjerë ata ai e vjedh.

 

Kjo është fytyra e Edi Ramës në Krujë dhe dhjetëra bashki të tjera. Përpjekja e tij për të kontrolluar konfliktin rajonal, ngjan edhe më qesharake kur kupton se ai nuk kontrollon dot Niklën dhe Borizanën, dy fshatra që Sali Berisha i kontrollonte me katër policë”-tha Balliu.