Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk punon më për të garantuar sigurinë globale, por përkundrazi është një arenë për pesë vendet anëtare të përhershme për t’u përfshirë në konfrontime strategjike.

 

“Këshilli i Sigurimit nuk është më garantues i sigurisë ndërkombëtare dhe është kthyer në një fushë beteje ku përplasen strategjitë politike të pesë vendeve”, tha Erdoğan në fjalën e tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

 

Në adresimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti turk theksoi se Türkiye ngjarjet e fundit në Qipron Veriore, ku paqeruajtësit e OKB-së u përpoqën të bllokojnë ndërtimin e një rruge jetike lidhëse, i konsideron një “manifestim të kësaj strukture të zbrazët instuticionale që nuk ofron as drejtësi dhe as besim”.

 

“Ne duhet të ri-strukturojmë menjëherë institucionet nën çatinë e OKB-së përgjegjëse për sigurimin e paqes, sigurisë dhe mirëqenies botërore. Ne duhet të ndërtojmë një arkitekturë të qeverisjes globale që është e aftë të përfaqësojë të gjitha origjinat, besimet dhe kulturat në botë”, tha Erdoğan.

 

Gjatë fjalimit të tij, Erdoğan përsëriti edhe një herë sloganin e tij për reformën e OKB-së “Bota është më e madhe se pesë”, duke iu referuar natyrës jo-përfaqësuese të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje.

 

Efektiviteti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është vënë në pikëpyetje përballë krizave të fundit, veçanërisht pasi Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës pothuajse 19 muaj më parë. Rusai, një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, akuzohet se përdor të drejtën e vetos për të bllokuar rezolutat që kanë të bëjnë me Ukrainën.

 

Anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit janë SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina.

 

Gjatë sesionit të tanishëm të Asamblesë së Përgjithshme, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjithashtu tha se SHBA-ja do të vazhdojë të nxisë reformat shumë të nevojshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në mes të “ngërçit” të vazhdueshëm që e ka penguar organin të kryejë detyrat kryesore të tij.

 

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, nga ana e tij, tha se OKB-ja nuk mund të vazhdojë status quo-në dhe se nevojat për reformim të institucionit është urgjente.

 

Türkiye pret që BE-ja të përmbushë detyrimet e saj të neglizhuara prej kohësh

 

Më tej, presidenti Erdoğan tha se Türkiye pret që Bashkimi Evropian (BE) t’i përmbushë detyrimet e saj të neglizhuara prej kohësh ndaj vendit, raporton Anadolu.

 

“Natyra gjithnjë e më komplekse e sfidave rajonale dhe globale tregon se ekziston një nevojë për t’i çuar përpara marrëdhëniet Türkiye-BE mbi një bazë të shëndetshme”, tha presidenti Erdoğan.

 

“Ne presim që BE-ja të fillojë me shpejtësi të përmbushë detyrimet e neglizhuara prej kohësh ndaj vendit tonë. Sidomos qëndrimet ambivalente ndaj Türkiyes duhet t’i jepen fund”, theksoi presidenti turk.

 

Türkiye aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987 dhe ka qenë vend kandidat që nga viti 1999. Negociatat për anëtarësimin e plotë filluan në vitin 2005, por viteve të fundit kanë ngecur për shkak të pengesave politike të ngritura nga disa vende.

 

Racizmi, ksenofobia dhe islamofobia kanë arritur nivele të pa tolerueshme

 

Në fjalën e tij, presidenti Erdoğan po ashtu paralajmëroi se nivelet e racizmit, ksenofobisë dhe islamofobisë kanë arritur në një pikë të rrezikshme.

 

“Racizmi, ksenofobia dhe islamofobia, të cilat përhapen si virus veçanërisht në vendet e zhvilluara, kanë arritur nivele të pa tolerueshme, tha Erdoğan.

 

Ai theksoi se shenjat e ksenofobisë, racizmit dhe islamofobisë, që po kalojnë në një krizë të re, kanë arritur përmasa alarmante në vitin e fundit.

 

Duke theksuar se gjuha e urrejtjes, polarizmi dhe diskriminimi ndaj njerëzve të pafajshëm lëndojnë ndërgjegjen publike në të gjitha anët e botës, presidenti turk u ankua se politikanët populistë në shumë vende vazhdojnë të luajnë me zjarrin duke inkurajuar këto tendenca të rrezikshme.

 

“Mentaliteti që inkurajon sulme të urryera kundër Kuranit të Shenjtë në Evropë, duke i lejuar ato nën maskën e lirisë së shprehjes, në fakt po errëson të ardhmen e saj (lirisë së shprehjes)", tha Erdoğan.

 

Ai theksoi se Türkiye do të vazhdojë të mbështesë iniciativat për të luftuar islamofobinë në të gjitha platformat, veçanërisht në OKB, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC).

 

Presidenti turk gjithashtu u bëri thirrje liderëve botërorë, të cilat siç tha ai, refuzojnë sulme të tilla ndaj vlerave të shenjta, që të mbështesin luftën e Türkiyes.

 

Kohëve të fundit kanë ndodhur një sërë sulmesh ndaj Kuranit, si djegie dhe përdhosje të tjera, veçanërisht në vendet e Evropës veriore. Këto sulme shpesh janë kryer me mbrojtjen e policisë.

 

Këto sulme kanë shkaktuar zemërim dhe dënim të gjerë.

 

Erdoğan paralajmëron kundër ndërhyrjes ushtarake në Niger

 

Më tej, Erdoğan paralajmëroi në lidhje me pasojat e mundshme të ndërhyrjes ushtarake në Niger, duke theksuar rrezikun e paqëndrueshmërisë më të thellë për atë komb dhe të gjithë rajonin Sahel.

 

“Çdo ndërhyrje ushtarake në Niger rrezikon ta çojë këtë vend dhe të gjithë rajonin në paqëndrueshmëri më të thellë. Shpresojmë që Nigeri, i cili ka kaluar kohë të trazuara kohët e fundit, të arrijë një rend kushtetues dhe një qeverisje demokratike sa më parë”, tha Erdoğan.

 

Nigeri është kapluar nga trazirat që nga 26 korriku kur gjenerali Abdourahamane Tchiani, një ish-komandant i gardës presidenciale, udhëhoqi një ndërhyrje ushtarake që rrëzoi presidentin Mohamed Bazoum.

 

Vrulli kundër pranisë franceze në vend provokoi një grindje me Parisin.

 

Për Karabakun nuk është i pranueshëm asnjë status tjetër përveç territor i Azerbajxhanit

 

Në fjalën e tij para liderëve botërorë, Erdoğan gjithashtu tha se Karabaku është territor i Azerbajxhanit.

 

"Ne kemi mbështetur procesin e negociatave midis Azerbajxhanit dhe Armenisë që nga fillimi. Megjithatë, ne shohim se Armenia nuk e ka shfrytëzuar plotësisht këtë mundësi historike”, tha Erdoğan.

 

Ai shprehu pritjet e Türkiyes që Armenia të përmbushë angazhimet e saj, veçanërisht ato që lidhen me hapjen e korridorit Zangezur, një rrugë kryesore e planifikuar përmes territorit armen që lidh Azerbajxhanin me enklavën e saj Nakhchivan.

 

"Siç e pranojnë të gjithë tani, Karabaku është territor i Azerbajxhanit. Imponimi i çdo statusi tjetër nuk do të pranohet kurrë", theksoi Erdoğan, duke shtuar se qëllimi kryesor në territorin e Azerbajxhanit tani duhet të jetë bashkëjetesa paqësore për të gjithë, duke përfshirë armenët.

 

Ai gjithashtu theksoi se Türkiye mbështet hapat e Azerbajxhanit për të ruajtur integritetin territorial të tij.

 

Sot, Azerbajxhani nisi “masat kundër terrorizmit” në rajonin e Karabakut për të mbështetur dispozitat e përshkruara në marrëveshjen e paqes trepalëshe të nëntorit të vitit 2020 që nënshkroi me Rusinë dhe Armeninë.

 

Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit në nivel ndërkombëtar.

 

Në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi armen gjatë 44 ditëve të përleshjeve. Lufta përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia.

 

Megjithatë, tensionet midis dy vendeve vazhdojnë pavarësisht bisedimeve në vazhdim mbi një marrëveshje afatgjate të paqes.

 

Türkiye synon integrimin rajonal me projektin e “Rrugës së Zhvillimit”

 

Më tej, Erdoğan tha se Türkiye shpreson të avancojë integrimin në rajonin e saj me një projekt që lidh kufirin e saj juglindor me Irakun jugor.

 

“Ne shpresojmë të forcojmë më tej integrimin rajonal me projektin e ‘Rrugës së Zhvillimit’ “, tha presidenti Erdoğan.

 

Türkiye dhe Iraku po punojnë për të ndërtuar një korridor transporti tokësor dhe hekurudhor nga provinca irakiane e Basrës në kufirin turk.

 

Erdoğan gjithashtu tha se Türkiye vepron me një mirëkuptim që “forcon unitetin politik, integritetin territorial dhe përpjekjet e rindërtimit të Irakut” dhe theksoi se tij nuk bën dallime midis “elementëve që përbëjnë vendin”.

 

Siria dhe mbështetja e hapur ndaj grupeve terroriste

 

Presidenti turk tha se mbështetja e dhënë grupeve terroriste nga forcat me interesa në rajon përbën kërcënimin më të madh për unitetin e Sirisë fqinje.

 

“Kërcënimi më i madh për integritetin territorial dhe unitetin politik të Sirisë është mbështetja e hapur që u jepet organizatave terroriste nën drejtimin e fuqive që strehojnë plane për këtë vend”, tha Erdoğan.

 

Ai tha se populli sirian, i pushtuar nga grupi terrorist PKK/YPG nga njëra anë dhe nga ana tjetër grupet radikale të organizuara në bazë të ndarjeve sektare, ka arritur në pikën e revoltës.

 

“Në të vërtetë, si rezultat, kohët e fundit filluan të shfaqen pasoja të ndryshme”, u shpreh ai.

 

Presidenti turk gjithashtu përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të përsëritur mbështetjen e tij për sirianët e shkatërruar nga lufta civile 10-vjeçare në vend.

 

“Türkiye me siguri nuk do të braktisë fatin e më shumë se 4 milionë njerëzve në Sirinë veriore, të cilët janë duke luftuar për të mbijetuar në kushte të vështira”, tha Erdoğan.

 

“Derisa ndërtimi i vendbanimeve përtej kufijve tanë, në të cilin ne jemi pionier, të përfundojë, ne do të vazhdojmë të inkurajojmë kthimin e refugjatëve në këto vende”, shtoi ai, duke iu referuar projekteve të strehimit të drejtuara nga Türkiye në zonat e kontrolluara nga opozita pranë kufijve të saj.

 

Duke përmendur tragjedinë humanitare në Siri, tashmë në vitin e 13-të, Erdoğan tha se, “Ne kemi i vetmi i vend që kemi treguar një qëndrim parimor, konstruktiv dhe të drejtë ndaj zhvillimeve që kërcënojnë unitetin politik të Sirisë, si dhe integritetin social dhe strukturën e saj ekonomike”.

 

“Po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për t’i dhënë fund krizës në jug të vendit tonë (në Siri) përmes një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, të përhershme dhe të qëndrueshme, e cila do të përmbushë pritjet legjitime të popullit sirian”, tha ai.

 

Duke përmendur gjithashtu ndikimin shkatërrues të tërmeteve të 6 shkurtit, nga të cilët u prekën 14 milionë njerëz në Türkiye, si dhe miliona në Siri, Erdoğan tha se, “Situata tashmë e rëndë humanitare, veçanërisht në Sirinë veriperëndimore, është përkeqësuar”.

 

Iraku

 

Lidhur me Irakun, Erdoğan tha se Bagdadi “po shfaq gjithashtu përpjekje për të kapërcyer sfidat e brendshme dhe të jashtme me të cilat përballet”.

 

“Ne veprojmë me një mirëkuptim të orientuar drejt forcimit të unitetit politik të Irakut, integritetit territorial dhe përpjekjeve për rindërtim, si dhe që nuk bën dallime ndërmjet elementeve përbërës të atij vendi”, tha Erdoğan.

 

Për grupin terrorist DEASH, Erdoğan tha se, “Si lider i vendit që ka bërë luftën më të madhe kundër DEASH-it në vepra, që i shkaktoi humbjet më të mëdha këtij grupi dhe që i di shumë mirë faktet e hapura dhe prapavijën e problemit, do të doja të flisja hapur”.

 

“Ne jemi të ngopur me hipokrizinë e atyre që përdorin DEASH-in dhe organizatat e ngjashme si mbulesë për interesat e tyre politike dhe ekonomike, para së gjithash në Siri dhe Irak, por edhe në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe rajonin Sahel”, shtoi ai.

 

Duke theksuar se DEASH-i “nuk është kërcënim vetëm në këto rajone”, Erdoğan tha se, “Kërcënimi i vërtet përbëhet nga organizatat terroriste, grupet paraushtarake, mercenarët dhe disa elementë lokal që punojnë për ofertën më të lartë, të cilët ushqehen dhe forcohen për t’u përdorur si mjete të luftërave me prokurorë”.

 

Siç theksoi presidenti turk, vendet që vazhdojnë të punojnë me organizatat terroriste pavarësisht këtij realiteti, thjesht për interesat e tyre politike dhe ekonomike, nuk kanë të drejtë të ankohen për terrorizmin dhe çështjet e lidhura me to.

 

“Në një botë të tillë, askush nuk është i sigurt, pavarësisht nëse jeton pranë një zone konflikte apo larg në një tokë të rrethuar nga oqeane”, tha ai.

 

Për vite me radhë, Türkiye ka protestuar vazhdimisht për mbështetjen e SHBA-së në veri të Sirisë për grupin terrorist PKK/YPG, gjoja për të luftuar DEASH-in. Zyrtarët turq kanë argumentuar se nuk ka kuptim të përdoret një grup terrorist për të luftuar një tjetër grup terrorist.

 

Egjipti, Jemeni, Libia dhe konflikti palestinezo-izraelit

 

Lidhur me Jemenin, presidenti Erdoğan shprehu “trishtimin e tij të thellë” për situatën në vendin e vendosur në skajin jugor të Gadishullit Saudit, i cili është përballur me një luftë civile prej vitesh.

 

“Është dëshira jonë më e madhe që ky problem të zgjidhet sa më parë brenda unitetit kombëtar dhe integritetit territorial të Jemenit”, tha presidenti turk.

 

Sa i përket Egjiptit, Erdoğan tha se Ankara dhe Kajro “kanë hyrë në një periudhë në të cilën ne kemi filluar të zhvillojmë marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, të cilat ishin të stagnuara për një kohë”.

 

“Ne jemi të vendosur të avancojmë bashkëpunimin tonë mbi bazën e përfitimit të ndërsjellë në këtë periudhë të re”, tha ai.

 

Erdoğan gjithashtu tha se paqja e përhershme në Lindjen e Mesme është e mundur vetëm përmes një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit palestinezo-izraelit.

 

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim popullin dhe shtetin palestinez në luftën e tyre për të drejtat e tyre legjitime në bazë të ligjit ndërkombëtar. Për të përsëritur edhe një herë, pa krijimin e një shteti të pavarur palestinez, bazuar në kufijtë e vitit 1967, është gjithashtu e vështirë për Izraelin të gjejë paqen dhe sigurinë që kërkon”, tha presidenti turk, duke kritikuar në mënyrë implicite pushtimin e vazhdueshëm izraelit.

 

“Në këtë kontekst, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona, në mënyrë që statusi historik i Kudsit, veçanërisht Al-Haram Al-Sharif të respektohet”, shtoi ai, duke iu referuar xhamisë historike Al-Aksa.

 

Lidhur me përmbytjet e javës së kaluar në Libi, presidenti turk tha se pas fatkeqësisë Türkiye ndërmori veprime të menjëhershme për të ndihmuar Libinë, ku 10 mijë njerëz humbën jetën dhe mijëra mbeten ende të pagjetur.

 

“Si hap i parë, me tre anije dhe tre avionë, ne siguruam ndihmë për Libinë, të përbërë nga qindra automjete, mijëra tonë ushqime, furnizime për strehim dhe sanitare, së bashku me një personel prej 657 personash. Organizatat tona joqeveritare po ashtu po marrin pjesë në aktivitetet në rajon me mjetet e tyre. Si një vend që qëndron pranë viktimave dhe të shtypurve kudo që janë në botë, ne nuk i kemi braktisur dhe as do t’i braktisim kurrë vëllezërit dhe motrat tona libianë”, tha presidenti Erdoğan.

 

Presidenti turk shprehu gjithashtu dëshirat e tij për shërim për “vëllezërit tanë marokenë që u goditën nga një tërmet i fortë si ai që goditi vendin tonë”, duke iu referuar tërmetit që goditi vendin e Afrikës së Veriut më 8 shtator./AA