Një skemë mashtrimi nga një call-center në Rrugën e Zallit është zbuluar nga policia duke vënë në pranga 2 administratorë, e ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Momentum” janë vënë në pranga 2 të rinj, konkretisht 27-vjeçari me iniciale B.K. dhe 25-vjeçari me iniciale M.K. si dhe janë shpallur në kërkim 51-vjeçari J.K. dhe 32-vjeçari E.K.
Këta 4 persona kishin në administrim një call center në Rrugën e Zallit, në të cilin ishin të punësuar rreth 60 punonjës. Ato telefononin shtetas të huaj, kryesisht italianë, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit i bindnin që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjatë operacionit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 68 000 euro, njësi kompjuterike, aparate celulare, tabletë, mandate pagesash dhe blloqe me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.