Türkiye ka nënshkruar marrëveshje financimi prej 859.7 milionë euro me Bankën Botërore për transformimin e gjelbër, tha ministri i Thesarit dhe i Financave, Mehmet Şimşek.

 

"Financimi është pjesë e premtimit të Bankës Botërore për t'i dhënë Türkiye-s fonde prej 35 miliardë dollarësh gjatë një periudhe trevjeçare", tha Şimşek për Anadolu.

 

Ky financim mund të përdoret në investime të reja në sektorin real, veçanërisht në rindërtimin pas tërmeteve të shkurtit të këtij viti si dhe transformimin e gjelbër, shtoi ai.

 

Në këtë kontekst, të dyja palët nënshkruan marrëveshje për financimin prej 500 milionë euro në kuadër të Projektit të Energjisë së Rinovueshme në Publik dhe Bashki që do të zbatohet nga Ministria e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike dhe "Iller Bankasi" e Türkiye-s.

 

Financimi prej 395.75 milionë euro është siguruar për Projektin e Përmirësimit të Qarkullimit dhe Efiçencës së Ujit në Türkiye për të ndihmuar në adresimin e sfidave të mungesës së ujit të shkaktuar nga ndryshimet klimatike dhe reduktimin e ndotjes së ujërave të zeza në zonat me mungesë uji.

 

"Ne veprojmë si një urë lidhëse në plotësimin e nevojave financiare të ministrive dhe qeverive vendore në lidhje me energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin e ujit. Në këtë kontekst, ne nënshkruam një marrëveshje kredie me Bankën Botërore me një shumë totale prej 895.7 milionë euro", tha Şimşek.

 

Ai njoftoi kohët e fundit se Banka Botërore dyfishoi fondet në 35 miliardë dollarë për periudhën e ardhshme trevjeçare./AA