Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken të premten në New York, me të cilin diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë marrëdhëniet dypalëshe dhe Iniciativën e Drithërave të Detit të Zi.

 

Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua në “Lotte New York Palace Hotel” në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

 

Sipas burimeve diplomatike, gjatë takimit ka pasur shkëmbim mendimesh për “hapat konkretë dhe konstruktivë” që mund të ndërmerren në të ardhmen e afërt për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

 

Gjithashtu, diskutimi përfshiu tema të tilla si Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi, anëtarësimi i Suedisë në NATO dhe zhvillimet e fundit në Karabak.

 

Takimi ka zgjatur 35 minuta.

 

Në një deklaratë, Departamenti i Shtetit tha se Blinken u takua me Fidanin “për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Türkiye” dhe për të shprehur mbështetjen e tij të fortë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe dypalësh.

 

Blinken nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO sa më shpejt të jetë e mundur, tha zëdhënësi Matthew Miller në deklaratë.

 

Diplomati amerikan falënderoi Türkiyen për përpjekjet e saj të vazhdueshme për të ringjallur Iniciativën e Drithërave të Detit të Zi dhe “inkurajoi mbështetjen për përpjekjet për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të parandaluar një përkeqësim të situatës humanitare” në Karabak, tha Miller./AA