Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vrasjes së policit në veri të Kosovës.

 

Konjufca thotë se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa i bën thirrje SHBA e BE që të dënojnë agresionin.

 

Ai e quan sulmin terrorist dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia.

 

 

“E dënoj ashpër sulmin terrorist dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia nga i cili një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës.

 

Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë.

 

Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.

 

Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë.

 

Autorët e këtij krimi, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq i ftoj institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë”- shkruan kryetari i kuvendin të Kosovës.