Teksa sot qytetarët e Kukësit zgjedhin kryebashkiakun e ri, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit, Albert Halilaj, ka votuar mëngjesin e sotëm në shkollën “Bajram Curri”.
Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime dhe të zgjedhin alternativën e duhur për ta.
“Unë nga qytetarët e Kukësit pres një pjesëmarrje votimi, një masivitet në votime, për të zgjedhur alternativën e duhur, një djalë që do i shërbejë me të gjitha alternativat që ka shpalosur gjatë kësaj fushate. Unë përgëzoj gjithë qytetarët, banorët e Kukësit, është e vetmja fushatë gjatë këtyre 30 viteve në Kukës, që nuk kemi pasur një incident dhe i përgëzoj për vlerat që kanë përcjellë në këtë zonë. Unë i uroj gjithë të mirën kuksianëve, i ftoj të votojnë alternativën më të mirë dhe më bindëse për këtë qytet të mrekullueshëm”.
Përballë Halilajt, garon Emri Vata nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”.
Zgjedhjet në Kukës po zhvillohen sërish për shkak të skandalit seksual të ish-kryebashkiakut socialist Safet Gjici që çoi në arrestimin e tij.