Bosi i Cosa Nostra-s , Matteo Messina Denaro, i cili u arrestua në Janar pasi i kaloi 30 vjet në arrati, ka vdekur në moshën 61-vjeçare.

 

Sipas mediave italiane, Messina Denaro vuante nga kanceri në kohën kur u arrestua. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua në javët e fundit dhe ai u dërgua në një spital nga burgu i sigurisë së lartë në Italinë qendrore.

 

Denaro ishte dënuar për krime të shumta, përfshirë për rolin në planifikimin e vrasjeve të prokurorëve anti-mafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino më 1992, krime që tronditën Italinë dhe nxitën një luftë ndaj mafisë siciliane.

 

Ai ishte përgjegjës edhe për sulmet me bombë në Romë, Firencë dhe Milano më 1993, ku si pasojë vdiqën 10 njerëz, si dhe për organizimin e rrëmbimit dhe vrasjes së djaloshit 12-vjeçar Giuseppe Di Matteo, në përpjekje për ta bindur babanë e tij të mos dëshmonte në gjyq kundër mafias.