Nga Kenia, Ruth Abongo, nëna e 22-vjeçares Joy Aoko Achieng, e cila ndërroi jetë në atdheun e saj, ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi deri në momentin e fundit për vajzën e saj.

 

“Do të bëj të pamundurën që të vendoset drejtësi për vajzën time. Nëse kjo drejtësi do të marrë frymën time të fundit për të vendosur drejtësi për Joyn, atëherë jam gati”, ka thënë ajo.

 

Rrahja barbare e 22-vjeçares, sipas Policisë së Tiranës:  

 

 

Më datë 14.08.2022, një shtetase nga Kenia ka bërë denoncim për humbjen e kontakteve me shoqen e saj, shtetasen J. A., 22 vjeçe, nga Kenia, banuese në një banesë me qira, në rrugën “Pandeli Evangjeli”, e cila më pas u gjet pa ndjenja, në afërsi të banesës së saj.

 

Në lidhje me këtë rast sqarojmë se Komisariati i Policisë Nr. 1 ka vlerësuar denoncimin e bërë dhe ka reaguar në kohë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

 

Gjithashtu, sqarojmë se strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore të deleguara nga Prokuroria, për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.