Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka bërë thirrje sot vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që t’i japin përparësi zgjerimit e po ashtu t’i ofrojnë mundësitë e premtuara për të gjithë rajonin tonë.

Në takimin e 11-të i Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, ai tha se përshpejtimi i procesit të anëtarësimit është imperativ duke kërkuar veprim të shpejtë nga shtetet anëtare për ta avancuar aplikimin e Kosovës, duke shtuar se nuk kërkojnë procedura të pandershme nga ana e BE-së, por procedura strikte dhe të bazuara në drejtësi dhe meritokraci.

Konjufca tha se ka punë për të bërë në këtë rrugëtim, pasi siç tha ai, sfidë mbetet korrupsioni, sidomos në sistemin prokurorial e gjyqësor.

Duke folur për dialogun, Konjufca tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë është një komponent i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë rajonal. Ndërsa, shtoi se vazhdojnë të jenë të përkushtuar për të punuar së bashku që t’i zgjidhin çështjet në këtë drejtim.

Konjufca ka thënë po ashtu se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022 ishte dhe vazhdon të mbetet moment historik për vendin.

Ai kërkoi veprim të shpejtë nga shtetet anëtare të BE-së për të avancuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, teksa shtoi se Kosova mbetet e palëkundur në përpjekjet e saj për integrimin evropian, për demokraci dhe barazi.

Në fjalën e tij, ai theksoi se nuk po kërkohen procedura të pandershme nga ana e BE-së në këtë drejtim, por procedura strikte dhe të drejta./ata