Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se PDK mbështet rezolutën e propozuar për të dënuar sulmin terrorist në veri të vendit dhe se Kosova duhet të kërkojë ekstradimin e terroristëve që organizuan sulmin.

 

Ai tha se nuk ishte koha që të flisnin për betejat e brendshme politike. Krasniqi shtoi se organizimi i sulmit terrorist në Veri e kishte adresën kryesore në Beograd për shkak se përfshirja e Radojiçiç e konfimonte më së miri këtë gjë.

 

Po ashtu, Krasniqi kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të nisë një hetim urgjent. 

 

“Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojiçiç në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi më pas i tyre në Serbi, lartësimi i tyre si heronj, përfshirë shpalljen e ditës së djeshme atje si ditë të zie, tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin serb. Prandaj sot është e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që planifikuan, organizuan sulmin mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e aleatëve tanë që duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata”, tha ai.