Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me vrasjen e 35-vjeçares shqiptare Klodiana Vefa në Itali. E reja u ekzekutua mbrëmjen e djeshme dhe autori i dyshuar është bashkëshorti i saj, i cili është shpallur në kërkim.

 

Mësohet se Vefa po ndahej nga bashkëshorti i saj dhe se ato nuk jetonin bashkë prej kohësh. Paraprakisht bëhet e ditur se burri është arratisur me një automjet “Golf” të bardhë.

 

Policia italiane është vënë në kërkim të shtetasit shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur. Karabinierët kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë Val d’Elsa, në zonën midis Poggibonsi, në provincën e Sienës dhe në zonën e Empolit.

 

Vefa ishte nënë e dy fëmijëve të mitur dhe punonte si kameriere. 35-vjeçarja me leje të rregullt qëndrimi, u vra dje në mbrëmje, në një rrugë periferike të Kastelfiorentinos, pak pas orës 20:00.

 

Burri dyshohet se është paraqitur në shtëpinë ku jetonte gruaja me një djalë 17-vjeçar dhe një vajzë 14-vjeçare. Mes të dyve ka pasur një debat. Në atë moment ajo kishte dalë në rrugë, ndoshta për t’u ndjerë më e sigurt.

 

Pikërisht në trotuar ajo u godit nga tre të shtëna armësh, njëra prej të cilave ishte fatale.

 

Alarmi u ngrit nga disa banorë të zonës, të cilët kanë dëgjuar shpërthimin e një arme.

 

Pak minuta më vonë, një ambulancë mbërriti në vend, por me gjithë përpjekjet e bëra për ta risjellë në jetë, mjekët nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse konfirmonin vdekjen e saj.