Prej tre ditësh vijon që të jetë ende aktive vatra e zjarrit në pyllin me pisha në Pishporo në Fier.

 

Sipas shefit të shërbimit zjarrfikës të bashkisë Fier, Zija Hyka përgjatë gjithë natës në terren kanë qëndruar në gatishmëri një gruo zjarrfikësish për të mos lejuar përhapjen e flakëve drejt zonës së banuar.

 

Mëngjesin e sotëm për të shuar flakët ndodhen 4 mjete zjarrfikëse, forca mbështetëse të bashkisë, 9 punonjës të ADZM-së dhe 40 forca të armatosura të repartit të Poshnjës, për të neutralizuar perimetrin e zjarrit.

 

Ndërkohë po sipas Hykës, gjatë orëve të vona të mbrëmjes është riaktivizuar edhe një vatër zjarri në Darzezë e cila është neutralizuar falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse.

 

Zjarri u riaktivizua mesditën e së mërkurës dhe vijon të jetë aktiv, pasi favorizohet nga era e fortë ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e mbrojtur të pyllëzuar me pisha.

 

Gjatë dy ditëve të betejës me flakët është kërkuar vazhdimisht ndërhyrja nga ajri, gjë që nuk është realizuar.