Angjelin Preljocaj, balerini dhe koreografi me famë ndërkombëtare ishte i ftuari i episodit të tretë, në sezonin e dytë të podcastit “Flasim”, të kryeministrit Rama.
Artisti franko-shqiptar rrëfeu detaje mbi hapat e parë në karrierën e tij dhe jetën e ndarë mes kulturës shqiptare brenda shtëpisë dhe asaj franceze jashtë saj.
Rama tregoi dhe se si kishte dëgjuar për herë të parë për Angjelin Preljocaj gjatë kohës që jetonte në Francë në vitit ’90.
“Isha në metro, shikoja posterat e mëdhenj dhe thosha me vete ky emër : Angjelin Preljocaj, duket sikur ka të bëjë me mua, me vendin tim. Pastaj fillova të interesohesha, të flisja me njerëzit. Dhe kur pashë shfaqjen e parë, besoj se ishte në Chatelet, m’u duk se kishte diçka shumë shqiptare në thelb, jo në skript, por në thelb, diçka shumë ndryshe nga ajo që shohim te koreografët e tjerë të mëdhenj. Besoj se kishte diçka mjaft autentike, diçka që nuk dukej, që mua më shkaktoi këtë jehonë të brendshme, nuk e di nëse është e saktë si përjetim, apo ideja që unë e dija historinë tënde, e dija që ishe shqiptar më bënte të mendoja këtë.”
Duke folur për kërcimin, Preljocaj tha se ajo që provokoi pasionin për kërcimin ishte një fotografi.
“Në atë pamje ishte Rudolf Nurejevi i varur në një kërcim, dhe është e çuditshme, sepse të rrish varur ashtu është si të fluturosh në fakt. Por kjo më ngjalli dëshirën për baletin sepse kishte një dritë të tillë, një bukuri të tillë te ky njeri që po ushtronte pasionin e tij, baletin, saqë pata dëshirën të zbuloja se çfarë kishte prapa këtij imazhi. Dhe ia ktheva revistën vajzës që ma dha dhe e pyeta se ku bënte kurs kërcimi, dhe ajo më ftoi të shkoja në kursin e saj. Bëja xhudo, kur shkova herën e parë nuk kisha geta baleti. Kështu që vesha pantallonat e xhudos dhe një bluzë të bardhë, dhe ja kështu e bëra mësimin e parë të baletit. Dhe ishte si zbulim sepse më pëlqente shumë muzika, por nga ana tjetër isha dhe shumë fizik, bëja xhudo, më pëlqente kontakti me partnerin, edhe pse ishte sport luftimi, xhudo mund të jetë edhe shumë i hijshëm. Pra këto dy gjërat lëvizja dhe muzika, bashkoheshin për herë të parë për mua, dhe ishte diçka që nuk e kisha provuar më parë. Pra ishte diçka e çuditshme.”
Teksa tregon përshtypjet e tij kur erdhi për herë të parënë Shqipëri, Preljocaj tegon tregon në podkast se dhe për shfaqet që vë në skenë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Artisti franko-shqiptar me famë ndërkombëtare tha se po punon që të sjellë në Tiranë festivalin e dancit bashkëkohor.