Mjekët e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” vlerësuan sot mbështetjen për rritjen historike të pagës me mbi 50 mijë lekë në muaj.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinione të mjekëve specialistë, të cilët e konsiderojnë rritjen e pagave vlerësim të madh, që i bënë të ndihen dinjitozë në punën e tyre.

 

Mjekja e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Nevila Caushaj u shpreh se, vendimi i qeverisë shqiptare për rritjen e pagave është përshëndetur sepse rrit vlerësimin për mjekët specialistë.

 

Dr. Irma Tashi u shpreh shumë e kënaqur për rritjen e pagave, ndërsa mjeku Serxho Golgota theksoi se, rritja ishte goxha e konsiderueshme.

 

Vlerësim të madh moral e cilësoi rritjen e pagave edhe mjeku Arian Vyshka.

 

Dr. Evis Binaj u shpreh se, është një rritje e merituar për të gjithë specialistët e mjekësisë.

 

“Një vlerësim i madh që na bën të ndjehemi shumë dinjitozë në punën tonë si mjekë”, tha Kloedina Brataj.

 

Dr. Ilir Skënduli u shpreh se, rritja e pagave është një vlerësim që i bëhet mjekëve për gjithë sakrificat në shërbim të pacientëve, për netët pa gjumë.

 

“Patjetër që do të ketë një impakt pozitiv në punën tonë të përditshme dhe gjithashtu do të jetë një stimul për mjekët e rinj që të ushtrojnë profesionin e tyre në Shqipëri”, u shpreh mjeku Albi Fagu.

 

Dr. Aida Hoxha nga materniteti “Koço Gliozheni” u shpreh se, me rritjen e pagave sakrifica e përditshme u shpërblye.

 

“Është një rritje shumë dinjitoze që e vlerëson punën tonë si mjekë”, tha Ermir Paluka.

 

Dr. Ervis Vata u shpreh se, rritja e pagave ishte motivuese dhe shumë vlerësuese për mjekët.

 

Ndërsa mjeku Oljan Çala, nga materniteti “Mbretëresha Geradinë”, e cilësoi hapin e duhur për parandalimin e largimit të mjekëve nga Shqipëria.

 

“Dua të falënderoj në veçanti kryeministrin, ministren e Shëndetësisë për këtë rritje të ndjeshme të rrogës e cila na mundëson të jemi më të qetë dhe të punojmë më me dinjitet në punën tonë të përditshme”, tha dr. Elton Koroveshi.