Ish-prokurorja e Lushnjes Merita Selimi është marrë në mbrojtje nga policia pasi dyshohet se ka qenë në shënjestër për t’u vrarë nga grupi i Laert Haxhiut.
Sipas informacioneve, Merita Selimi do të shoqërohet nga efektivë të Policisë së Shtetit kudo që të jetë në lëvizje.
Emri i ish-prokurores së Lushnjes doli nga dëshmia e Artan Tafanit, bashkëpunëtorit të drejtësisë që zbuloi grupin e Laert Haxhiut dhe zbardhi disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në vendin tonë.
Sipas dëshmisë së tij para hetuesve, Laert Haxhiu kërkonte të vriste Merita Selimin pasi kishte hetuar atë dhe bashkëpunëtorë të tij për vrasje.
Konkretisht mësohet se Selimi hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.
2 vite hetime dhe më pas Selimi shpalli moskompetencë për dosjen, duke ia kaluar SPAK dhe prokurores Doloreza Musabelliu, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa është ende në fazë gjykimi Laert Haxhiu, i paekstraduar akoma nga Greqia.
Ndërkohë kujtojmë se ish-prokurorja e Lushnjes u skualifikua nga vettingu.