Milan Radojiçiç, ish-nënkryetari i Listës serbe, që pranoi se ishte pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës është arrestuar në Serbi.

 

Lajmi është dhënë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

 

“Më 3 tetor 2023, punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe lokalet e tjera të Milan Radoiçiçit. Është urdhëruar që policia ta ndalojë deri në 48 orë. Ai është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me një kallëzim penal”, thotë MPB e Serbisë, raporton Nova.rs.

 

Më 30 shtator, Radojiçiç i është përgjigjur edhe një thirrje të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe bashkë me avokatin e tij ishte parë duke hyrë në ambientet e Ministrisë.

 

Një ditë para se të paraqitej në ministrinë serbe, Radojiçiç e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë polici Afrim Bonjaku.

 

Pas kësaj deklarate ai ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.