Ministria e Tregtisë e Türkiyes ka bërë të ditur se vendi renditet i pari në mesin e vendeve të G20-tës për sa i përket rritjes së eksporteve të shërbimeve në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me atë të mëparshëm.

Në njoftimin e ministrisë turke thuhet se është publikuar raporti statistikor i Organizatës për Zhvillim Ekonomik dhe Bashkëpunim (OECD) për tremujorin e dytë të vitit 2024.

Sektori i shërbimeve zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e Türkiyes për shkak të vëllimit të eksporteve.

"Türkiye renditet e 22-ta në eksportet e shërbimeve me 101.7 miliardë dollarë, (respektivisht) një pjesë prej 1,29 për qind në eksportet botërore të shërbimeve", njoftoi ministria turke.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, eksportet e shërbimeve të Türkiyes u rritën me 9,5 për qind në baza vjetore duke arritur në 47.2 miliardë dollarë, ndërsa importet e shërbimeve u rritën me 11,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 23.1 miliardë dollarë.

“Me këtë, ne kemi arritur një suficit tregtar prej 50 për qind në sektorin e shërbimeve”, thuhet në njoftimin e ministrisë turke.

Nga ministria theksuan se Türkiye renditet e para në mesin e vendeve të G20-tës në ritmin e rritjes së eksporteve të shërbimeve në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

“Në të njëjtën kohë, ne jemi gjithashtu vendi në të cilin ritmi i rritjes së importeve të shërbimeve ka rënë më së shumti në mesin e vendeve të G20-ës”, thuhet në njoftim.

G20-ta është një forum jozyrtar që mbledh së bashku ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të 20 ekonomive, respektivisht 19 ekonomi kombëtare më të zhvilluara dhe Bashkimin Evropian (BE) si një entitet më vete./aa