Një foshnjë 8-muajsh ka humbur jetën në një spital në Tiranë. Mësohet prindërit kanë bërë kallëzim në Prokurorinë e Shkodrës për neglizhencë.

 

Sipas “News24”, foshnja 8 muajshe nga fshati Grudë e Shkodrës ndërroi jetë në spital në Tiranë, ku ishte shtruar pas një problemi me zemrën.

 

Foshnja duhej t’i nënshtrohej një transplanti, por nuk ka mundur të mbijetojë.

 

Prindërit e foshnjës e kanë kallëzuar rastin në Prokurorinë e Shkodrës ku kanë pretenduar se shkak për vdekjen e të miturit ka qenë neglizhenca dhe paaftësia në mjekim nga mjekët e Spitalit të Shkodrës.

 

Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth dy javë më parë, kur i mituri është dërguar në spitalin e Shkodrës dhe më pas spitali i Shkodrës e ka dërguar në Tiranë. Në spitalin e fëmijëve në Tiranë, foshnja është intubuar, por nuk ia ka dalë.