Policia ka arrestuar një 20-vjeçar nga Kosova, pasi u kap duke transportuar armë zjarri.

 

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë vënë në pranga shtetasin L.B. 20 vjeç, banues në Prishtinë, i cili u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Transportuesi”.

 

Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMW”, që 20-vjeçari drejtonte, efektivët gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krëhër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për t’i shitur tek persona të tjerë.

 

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Transportuesi”, në afërsi të pallatit “Asllan Rusi”, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi L. B., 20 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.

 

Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMW”, që 20-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krëhër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për t’i shitur tek persona të tjerë.

 

Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të 20-vjeçarit.

 

Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.