Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato ka dhënë më shumë detaje sonte në “Opinion” në Tv Klan për aksidentin tragjik te rrethrrotullimi i TEG-ut pak ditë më parë.

 

Qato tha se nga ekspertimet paraprake mendohet se shpejtësia e automjetit ku ndodheshin 3 të rinjtë, ishte 150 km në orë. Ai thotë se shoferi 20-vjeçar ka tentuar të frenojë disa herë me shkëputje, por ka humbur kontrollin e automjetit, si pasojë e një defekti teknik ose shpejtësisë së madhe.

 

Blendi Fevziu: Dihet me çfarë shpejtësie ka qenë makina?

 

Altin Qato: Është bërë një vendim ekspertimi, mendoj unë në bisedat e diskutimet paraprake me ekspertët mendohet se shpejtësia ka qenë 150 km/h.

 

Blendi Fevziu: Ka tentuar të frenojë djali që ka qenë në timon?

 

Altin Qato: Ka tentuar disa herë, me shkëputje. Mund të ketë humbje kontrolli, defekt teknik që nuk ka mundësuar që të ulë shpejtësinë, sepse shpejtësia ka qenë e madhe. Duken shkëputjet, sepse ato i japin më shumë fuqi frenimit. Pra, duket që se ka komanduar dot mjetin.

 

Blendi Fevziu: Mungesë vëmendjeje?

 

Altin Qato: Mungesë vëmendjeje në momentin e parë, më pas nuk ka arritur ta kontrollojë dot mjetin.

 

Kujtojmë se aksidenti i rëndë ka ndodhur më 9 Mars të këtij viti te rrethrrotullimi i TEG-ut në kryeqytet.  Mjeti tip “Audi A8” që drejtohej nga një 20-vjeçari Klevis Ruçaj fluturoi nga mbikalimi në rrugën Tiranë-Elbasan aty ku dhe përplasi një automjet tjetër tip “Benz”.

 

Si pasojë e aksidentit humbën jetën shoferi dhe dy vajza të reja që ndodheshin brenda “Audit”, Erisilda Abedini dhe Sikela Përroj. Klevis Ruçaj humbi jetën 4 orë pas aksidentit të rëndë, ndërsa pranë nënkalimit humbën jetën dy vajzat Erisilda Abedini 22-vjeçe dhe Sikela Përroj 23-vjeçe.

 

Ndërsa 3 anëtarët e familjes Kurti nga Elbasani, nëna, babai dhe djali i tyre që ndodheshin brenda “Benzit” që po kalonte këtë aks rastësisht kanë pësuar vetëm lëndime./tvklan.al