Türkiye u bën thirrje aktorëve me ndikim në rajon që të ulin tensionet, tha sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan teksa komentoi tensionet midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.

 

Duke folur në një mbledhje të Fondacionit Rinor të Türkiyes (TÜGVA) në kryeqytetin Ankara, Erdoğan tha: “Ne nuk duam që konfliktet të përhapen në rajonin tonë, në vend që të mbështesim verbërisht dikë, ne u bëjmë thirrje aktorëve me ndikim të ulin tensionin”.

 

“Si një komb që nuk ka devijuar nga drejtësia apo ndershmëria për shekuj, qëndrimi ynë ndaj konfliktit Izrael-Palestinë është gjithashtu në këtë drejtim”, shtoi ai.

 

Erdoğan theksoi se shtetet, ndryshe ka organizatat, janë të detyruara të respektojnë ligjet e luftës dhe të drejtat e njeriut. “Ne shohim që kjo linjë po zhduket gradualisht”, tha ai.

 

Udhëheqësi turk tha se ndërprerja e energjisë elektrike, ujit, karburantit dhe ushqimit për 2 milionë njerëz në Gaza nuk është as “humane” dhe as nuk ka vend në “ligjet e luftës”.

 

Në lidhje me politikën e SHBA-së ndaj konfliktit Izrael-Palestinë, Erdoğan tha: “A i ka hije një vendi si SHBA-ja të rivendosë paqen, apo t’i hedhë benzinë zjarrit?”

 

Ai tha se tani në Gaza nuk ka ujë, bukë dhe ushqim, gjë që është kundër Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

 

“Ku është Perëndimi? A kanë ndërmarrë ata ndonjë masë në këtë pikë? Nuk kanë ndërmarrë”, tha ai.

 

“Nuk mund të ketë asnjë shpjegim për sulmet ndaj motrave dhe vëllezërve të mi në Gaza, të cilat kanë arritur në nivelin e një masakre”, shtoi Erdoğan.

 

Forcat izraelite kanë nisur një fushatë të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, si përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

 

Konflikti filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, një sulm i befasishëm i shumëanshëm duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

 

Hamasi tha se ofensiva ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

 

Si përgjigje, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

 

Përgjigja e Izraelit është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një bllokadë paralizuese që nga viti 2007.

 

Më shumë se 2.700 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit të shtunën, duke përfshirë mbi 1.400 palestinezë dhe 1.300 izraelitë.

 

Ministri izraelit i Energjisë, Israel Katz, sot tha se energjia elektrike, uji dhe karburanti do t’i pamundësohen Gazës derisa të gjithë pengjet të lirohen./AA