Mbi 176 mijë euro të padeklaruara janë sekuestruar nga Policia Kufitare në Portin e Durrësit.

 

Policia tha se ka arrestuar dy drejtuesit e autobusit ku u gjetën të fshehura shuma e parave dhe mallrat që tentuan t’i kontrabandonin në Shqipëri.

 

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të futur në mënyrë të kundërligjshme në Shqipëri, shuma parash që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale,  specialistët e Sektorit për  Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, bazuar në inteligjencën policore, finalizuan fazën e 5-të të operacionit policor të koduar “Fluksi”. Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit të Durrës dhe me autoritetet doganore të këtij porti, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit, kaloi për kontroll të imtësishëm në vijë të dytë, autobusin që vinte me tragetin e linjës Bari-Durrës, i cili dyshohej se transportonte një shumë të madhe parash dhe mallra. Gjatë kontrollit të imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në brendësi të autobusit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 176 190 euro, 500 dollarë, 50 euro të falsifikuara, një pako me fishekë çifteje dhe një sasi mallrash (qindra shishe verë, pije të tjera alkoolike dhe mallra të ndryshme)”, bëri me dije policia.

 

Në vijim të veprimeve, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. A., 34 vjeç, banues në Berat  dhe A. B., 51 vjeç, banues në Elbasan, të dy drejtues të autobusit ku u gjetën të fshehura paratë dhe mallrat që do të kontrabandoheshin në Shqipëri.