Türkiye ka dënuar ashpër sulmin ajror të Izraelit në Spitalin Baptist në Gaza, ku si pasojë u vranë qindra njerëz.

 

"Ne jemi thellësisht të indinjuar që qindra palestinezë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën si rezultat i shënjestrimit të një spitali në Gaza sot dhe ne i dënojmë këto sulme barbare në termat më të ashpër", tha Ministria e Punëve të Jashtme.

 

Ministria turke shprehu mëshirë për "vëllezërit dhe motrat tona palestineze" që humbën jetën në sulmet dhe shërim të shpejtë për të plagosurit.

 

"Është e pashmangshme që një mentalitet që synon drejtpërdrejt civilët dhe godet spitalet dhe shkollat të mbahet përgjegjës përpara ligjit dhe ndërgjegjes ndërkombëtare", theksoi ministria turke.

 

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qudra, për Anadolu njoftoi se mbi 500 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Rripin e Gazës mbrëmjen e sotme.

 

Pamjet treguan kufoma të shpërndara nëpër mjediset e spitalit.

 

Sulmi ajror vjen në ditën e 11-të të konfliktit aktual, me një thirrje ndërkombëtare në rritje të grupeve joqeveritare dhe liderëve botërorë që thonë se fushata e bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës së rrethuar, përfshirë objektet e kujdesit shëndetësor, shtëpitë banuese dhe shtëpitë e adhurimit, shkel ligjin ndërkombëtar dhe mund të përbëjë krim lufte.

 

Grupi palestinez Hamas shënjestrimin e spitalit nga Izraeli e quajti një "gjenocid"./AA