Vassily Nebenzia, përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka kërkuar nga Gjykata Speciale që t’i dënojë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesi gjyqësor i të cilëve po zhvillohet në Hagë.

 

Teksa është diskutuar rreth situatës në Kosovë, gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Nebenzia ka shprehur besimin se Gjykata Speciale “nuk do ta përsërisë gabimin e Tribunalit të Hagës dhe ka theksuar se ata që janë përgjegjës do ta marrin dënimin që meritojnë”, duke aluduar kështu në lirimin e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

 

“Në këtë kontekst, është gjithashtu e qartë se Prishtina ka shpallur vazhdimësi midis “policisë” aktuale dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një organizatë terroriste, liderët e së cilës, përfshirë Hashim Thaçin, aktualisht po gjykohen si të akuzuar për krime të rënda lufte pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Ne besojmë se Dhomat nuk do t’i përsërisin gabimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe se të gjithë ata që janë përgjegjës do të marrin dënimin që meritojnë. Në këtë kontekst, refuzimi i Prishtinës për të paguar dëmshpërblim viktimave të krimeve të kryera nga luftëtarët e UÇK-së, në kundërshtim me vendimet e marra në Hagë, flet vetë në mënyrë të qartë”, ka deklaruar Vassily Nebenzia.

 

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë arrestuar në nëntor të vitit 2020, pas një aktakuze të ngritur nga Gjykata Speciale, ndërsa procesi gjyqësor kundër tyre ka filluar në prill të këtij viti.