Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të rajonit që të qëndrojnë në krah të Libanit kundër planit të pushtimit të Izraelit.

"Izraeli, i cili ka shkatërruar Gazën, tani i ka vënë sytë Libanit. Ne e shohim se fuqitë perëndimore po e mbështesin Izraelin në prapaskenë", tha presidenti Erdoğan në një fjalim para grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Ankara.

"Türkiye qëndron me popullin dhe shtetin vëllazëror libanez dhe ftoj edhe vendet e tjera të rajonit të qëndrojnë në solidaritet me Libanin", theksoi Erdoğan.

Siç paralajmëroi presidenti turk, planet për të përhapur luftën në të gjithë rajonin do të çojnë në një katastrofë të madhe. Sipas tij, bota islame dhe vendet e Lindjes së Mesme "duhet të jenë të parat që do të reagojnë ndaj këtyre planeve të përgjakshme".

"Është jashtëzakonisht e tmerrshme dhe patetike që shtetet, të cilat flasin për lirinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, mbahen peng nga një i sëmurë mendor si Netanyahu", theksoi ai.

Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me kundërshtimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor.

Të paktën 37.700 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë si dhe mbi 88.200 të tjerë janë plagosur. Më shumë se tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rahah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta para se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa