Mediat izraelite kanë raportuar për fjalosje brenda qeverisë izraelite, ku shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Herzi Halevi, i ka bërtitur ministrit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, duke iu drejtuar me fjalët “Mua mos më kërcëno”, transmeton Anadolu.

Siç raporton media izraelite Channel 12, incidenti ndodhi gjatë takimit javor të kabinetit të hënën.

Gjatë takimit, u ngrit "çështja e ushtarëve që morën kontrollin e sistemit të altoparlantëve në një xhami në Jenin disa ditë më parë", njoftoi dje media izraelite.

Disa ditë më parë u shfaqën video që tregonin ushtarë izraelitë duke kryer lutje hebreje brenda një xhamie në Jenin, që ndodhet në pjesën veriore të Bregut Perëndimor. Videot shkaktuan zemërim ndërkombëtar.

Pas incidentit, ushtria izraelite njoftoi largimin e dy ushtarëve nga detyra aktive, duke thënë se po merren masa disiplinore.

Ben-Gvir, megjithatë, e kritikoi vendimin për suspendimin e ushtarëve, duke e vlerësuar si "të turpshëm".

Channel 12 citoi ministrin Ben-Gvir të thoshte: "Si është e mundur kjo? Ju e keni shndërruar një incident të vogël në një incident të madh, duke bërë tituj që dëmtojnë ushtarët".

Kujtojmë se Ben-Gvir u dënua në vitin 2007 për nxitje raciste kundër arabëve dhe mbështetje të një grupi të njohur në Izrael si një organizatë terroriste.

Eliezer Toledano, komandanti rajonal jugor në ushtrinë izraelite, u përgjigj: "Kjo është vetëm përgjegjësia dhe autoriteti ynë", ndërsa raportohet se Ben-Gvir u përgjigj: "Po, po, ne kemi dëgjuar tashmë për autoritetin dhe përgjegjësinë tuaj".

Kur Ben-Gvir u emërua në post në nëntor 2022, analistët shprehën shqetësime se emërimi i tij do të nënkuptonte kontroll të zgjeruar civil mbi çështjet ushtarake dhe veçanërisht nën kontrollin e një linje ekstreme.

Më pas, raportohet se gjatë takimit ndërhyri kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili tha: “Mjaft, e kemi përgjigjen”.

Por pasi Netanyahu u largua nga takimi, debati u ndez sërish. Ben-Gvir tha: "Mjerë ju nëse ata ushtarë pushohen nga puna". Shefi i ushtrisë Halevi thuhet se më pas bërtiti: "Mua mos më kërcëno. Unë do të vendos se cilat vlera e udhëheqin ushtrinë izraelite".

Sipas Channel 12, Ben-Gvir u përgjigj: "Unë nuk po ju kërcënoj. Si anëtar i qeverisë, unë do ta kritikoj këtë veprim".

Pastaj ministri i Arsimit, Yifat Shasha-Biton, i tha Ben-Gvir-it: "Mos i kritikoni ata gjatë gjithë kohës", pas çka ai u përgjigj: “Më lejohet të kritikoj kur ushtarët janë në rrezik. Është detyra ime”.

Halevi më pas raportohet se tha: “Unë jam komandanti i ushtrisë dhe do të përcaktoj standardet etike dhe profesionale për ushtarët”.

 

- Ministri i Mbrojtjes mbron shefin e ushtrisë

Pas incidentit të nxehtë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dje në X u shpreh: "Shteti i Izraelit dhe ushtria izraelite kanë fituar një shef të Shtabit të Përgjithshëm trim, etik dhe me përvojë gjatë një lufte të vështirë dhe komplekse", duke shtuar: "Ushtria izraelite do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me vlerat e bazuara në traditat, ligjin dhe frymën e ushtrisë izraelite".

Duke iu referuar, me sa duket, Ben-Gvir-it, ai tha: "Unë do të vazhdoj të mbështes ushtrinë izraelite dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm kundër politikanëve të papërgjegjshëm që përpiqen të fitojnë pikë politike në kurriz të liderëve që mbajnë peshën kryesore të luftës".

Si përgjigje, Ben-Gvir postoi në X: "Yoav, ne kemi gjithashtu ushtarë të guximshëm që sakrifikojnë gjithçka për të bërë vendime pa mëdyshje në luftë", duke shtuar: “Nëse kemi mësuar diçka nga sulmi i 7 tetorit, ajo është se kritika objektive ndaj komandës së lartë është e lejuar, e dëshirueshme dhe e nevojshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për ushtarë të shquar”.

Pas sulmit të befasishëm të 7 tetorit nga Hamasi, ndaj të cilit Izraeli është përgjigjur me sulme të ashpra, sistemi i sigurisë i Izraelit është vënë nën sulm për mungesë përgatitjeje, mes raporteve se plani i Hamasit ishte i njohur një vit para se të ndodhte.

Megjithatë, qeveria e Netanyahut, e cila për një kohë të gjatë mburrej me besimin që ka për sigurinë, ka mbajtur peshën kryesore të kritikave, pasi thuhet se ishin vendimet e qeverisë që e shtynë ushtrinë të injoronte mundësinë e një sulmi të Hamasit.