Ekipi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) ka ekzaminuar pesë raketahedhës (RPG) të cilat janë gjetur në Banjskë të Komunës së Zveçanit dhe dyshohen se lidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Siç njofton KFOR-i, raketahedhësit janë gjetur në një depo, e më pas ato janë dërguar në laboratorët e forenzikës.
“Batalioni i Manovrimit po e siguron më tej zonën për të parë nëse mund të gjenden depo të tjera potenciale afër”, shkruan në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i ka shkruar tutje se po vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga viti 1999 për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Më 24 shtator të vitit të kaluar në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës u sulmuan nga një grup i armatosur nga i cili humbi jetën polici kosovar Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë politike Lista Serbe./aa