Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbyll hetimet dhe çon për gjykim kryebashkiakun e Kuçovës Kreshnik Hajdari nën akuzën e falsifikimit të formularëve. Sipas SPAK, Hajdari nuk ka deklaruar në formular dënimin e tij të marrë në Greqi për kalim të jashtëligjshëm të kufirit në vitin 1999.
Më 15 nëntor, SPAK mori si të pandehur Kreshnik Hajdarin pasi i njoftoi akuzën për falsifikim të formularëve. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai ka shkelur nenin 190/2 të Kodit Penal, që parashikon dënim nga 6 muaj burg deri në 5 vjet, si pasojë e mosdeklarimit të procesit gjyqësor ndaj tij në Greqi në formularët e dekriminalizimit dy herë, nga viti 2019 e në vazhdim.
"Nga aktet e administruara, provat e marra nëpërmjet letërporosisë nga Autoritetet Greke të Drejtësisë, rezulton se shtetasi Kreshnik Hajdari është i dënuar me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë/Gjykata Penale me Një Anëtar, Nr.3286/23-6-1999, me masën riedukuese të qortimit, për shkeljet: Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse (shkelje e nenit 4 §§1 dhe 3 të Ligjit 1975/1991).
I pandehuri Kreshnik Hajdari, kishte detyrimin ligjor për të deklaruar tek formulari i vetëdeklarimit këtë rrethanë, në lidhje me dënimin e tij nga një gjykatë e huaj, kjo në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe vendimit të Kuvendit nr.17/2016, “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”- thuhet mes të tjerash në njoftimin e SPAK.
Hajdari u përball me prokurorët bashkë me avokatin e tij Theodhori Sollaku më 15 nëntor, një ditë pasi KQZ refuzoi ti heqë mandatin me argumentin se vendimi gjyqësor ndaj tij në Janinë në vitin 1999 nuk ishte shkak ligjor për largimin nga detyra.
Drejtësia greke, në nëntor, i përcolli ministrisë sonë të Drejtësisë, një vendim që faktonte se kryebashkiakut i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është dënuar nga gjykata e Janinës, ndërkohë që në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk është i dënuar. Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.