Ish-kryeministri, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme për media, ka ftuar kryeministrin Edi Rama në debat para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

 

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se dënon refuzimin e ballafaqimit të kandidatëve nga Edi Rama, ndërsa shtoi se ky veprim i kryeministrit është një akt i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve shqiptarë.

 

“Edhe njëherë, dënoj me forcën më të madhe refuzimin e ballafaqimit të kandidatëve nga Edi Rama si një akt të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve shqiptarë.

 

Rama nuk i nxjerr kandidatët sepse mbi ta rëndojnë fatura dhjetëra milionë euro vjedhjesh nga më të ndryshme.

 

U bëj thirrje medieve të vendosin në studio dy karrige dhe të ftojnë kandidatët për debat dhe të lënë bosh karrigen e kandidatit që nuk paraqitet.

 

Sikundër përsëris ftesën ndaj Edi Ramës, të vijë në debat, të paraqesë para shqiptarëve gjithçka ai e konsideron se i shërben interesit të pushtetit të tij.

 

Nuk vjen dot. Unë e bëj këtë, por unë jam i bindur se ai nuk mund të vijë në debat. Rëndojnë afera të tmerrshme mbi shpatullat e tij. Dhe unë ia nxjerr dokumentet një nga një përpara shqiptarëve. Unë do i rreshtoj jo vetëm vjedhjet e tij, por edhe me familjarët e tij në tendera. Pra, Edi Rama nga njëra anë i fsheh kandidatët e tij, dhe vetëm pas denoncimeve të përsëritura të mia, nxori fytyrën e Lal Fallcit, se edhe atë e kishte zhdukur, nga ana tjetër nuk pranon debatet.

 

Kjo është një fyerje e madhe për qytetarët. U bëj thirrje qytetarëve të kërkojnë nga kandidatët të debatojnë, qoftë edhe në sheshet e qytetit. Nga ana tjetër, u bëj thirrje gazetarëve të verifikojnë çdo pretendim, çdo pseudosukses që numërojnë sot sekti i rilindjes, sekti i vjedhjes. Rilindje do të thotë vjedhje sot për shqiptarët.

 

A mund të imagjinoni një kryebashkiak që zhduk 520 mijë metër katror gjelbërim dhe mashtron e thotë se kam mbjellë 1 milion pemë.

 

Këtë mashtrim e bën për të justifikuar vjedhjen e miliona eurove që ka faturuar me 1 milion fidanë. Një njeri që u thotë qytetarëve që kam ndërtuar 40 shkolla dhe fillon e numëron 5, 8 apo 15. Se nuk i ka”, tha Berisha.