Puna 12-vjeçare, e 162 maturantëve ekselentë, me 10 absolute, nga i gjithë vendi u shpërblye me medalje ari.

Duke marrë shembullin e një djali nga një fshat i thellë i Matit, Rama tha se kur qëllimi është i qartë gjithçka arrihet. Mirënjohjen e tij, ai ja dedikoi veçanërisht nxënësve që vijnë nga familje në kushte të vështira ekonomike.

“Rastësisht isha me një djalë aty dhe e pyeta nga je dhe më tha jam nga Burgajeti i Matit që është një fshat goxha larg nga këtu dhe ai është këtu sot. Në Burgajet të Matit apo në pika të tjera të Shqipërisë ju mund t’i gjeni të gjitha justifikimet për të thënë “nuk ia vlen, nuk ia vlen të shkosh në shkollë se është larg”, “nuk ia vlen të mësosh se në fund fare askush s’të jep një dorë kur s’të njeh”, “nuk ia vlen të rrish në këtë vend se ky vend nuk  bëhet” dhe për dikë që gjendet në rrethana të vështira këto edhe janë të kuptueshme, por as ai, asnjëri dhe asnjëra nga ju nuk i kanë hyrë këtij shtegu, por i kanë hyrë një shtegu tjetër. Një shtegu shumë më të vështirë padiskutim. Po ja ku jeni këtu dhe ia keni dalë të provoni, në radhë të parë për veten, pastaj edhe për prindërit tuaj, se juve nuk ka asnjë gjë që ju ndalon dhe se ju majën ku keni vendosur të arrini në këtë fazë të jetës suaj e keni arritur”, tha Rama.

Gjatë ceremonisë, Rama tha se ky moment është një ndër më të bukurat e jetës së tij të përditshme.

“Dua vetëm t’ju them me shumë sinqeritet, po me shumë sinqeritet, ky i ceremonisë së medaljeve të arta është një nga momentet më të bukura të jetës sime të përditshme në këtë godinë.  Është një nga ato momente që janë jashtëzakonisht të nevojshme kur bën këtë punë që unë bëj, sepse të jepet mundësia që përmes pranisë së disa njerëzve të panjohur të rinj, të marrësh një energji të posaçme”.- tha Rama.

Të rinjtë ua dedikuan medaljet veçanërisht prindërve dhe mësuesve të tyre. Nga ata që studimet e larta i kanë vijuar jashtë vendit pati edhe premtime për rikthim në Shqipëri.

E për ata që vendosin që të punojë këtu, Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu premtoi mbështetje.