Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte sot në Gjimnazin “Myslym Keta”, ku pa nga afër Laboratorin e ri të Inteligjencës Artificiale.
“Fakti që ne sot në shkollat tona kemi 25 laboratorë të Inteligjencës Artificiale, fakti që brenda 2 viteve do të kemi 2000 nxënës, të cilët do të trajnohen për programet e Inteligjencës Artificiale dhe më shumë se 140 mësues, gjithashtu janë trajnuar dhe bëhen pjesë e këtij rrjeti të madh të mësuesve, të cilët do të aftësohen edhe më tutje për sa i përket teknologjisë së informacionit, është një bazë shumë e mirë e asaj që nesër të rrisim akoma më shumë numrin e laboratorëve të Inteligjencës Artificiale por mbi të gjitha të përfituesve të këtyre laboratorëve.”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu vuri theksin te Programi i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, si një program dedikuar për formimin e vazhdueshëm të mësuesve, me një fokus të veçantë tek ata që mësojnë shkencat, gjuhët dhe teknologjinë (TIK). Ky program, tha Manastirliu, synon të mbështesë dhe të fuqizojë mësuesit në përmirësimin e aftësive digjitale, duke iu përgjigjur nevojave në zhvillimin e metodologjive të mësimdhënies në një botë gjithnjë e më të ndikuar nga teknologjia.
Shkolla “Myslym Keta” në Kombinat, po i nënshtrohet rikonstruksionit, me financim nga programi “EU4Schools”, zbatuar nga UNDP. Gjatë vizitës, Ministrja theksoi se brenda këtij viti, shkolla do të transformohet për të ofruar kushte të standardeve bashkëkohore. Kjo përfshin zgjerimin e kapaciteteve me klasa të reja, një palestër të re dhe një bibliotekë bashkëkohore.
“Palestra po rindërtohet me kushtet më të mira. Biblioteka e re dhe klasat shtesë do të bëjnë që gjimnazi “Myslym Keta” të jetë një institucion arsimor me standarde të larta,” tha Ministrja Manastirliu.
Ministrja shtoi se qëllimi është që brenda vitit të përfundojë rehabilitimi i 100 shkollave, nëpërmjet buxhetit të Ministrisë, bashkive dhe Programit të Rindërtimit, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare./ata