Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi fajësoi liderin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për luftën në Ukrainë, raportuan mediat lokale të dielën vonë, transmeton Anadolu.

 

Berlusconi, i cili është gjithashtu kreu i partisë partnere të koalicionit "Forza Italia", pretendoi se sulmet e Ukrainës në rajonet Donbas dhe Luhansk shkaktuan luftën, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ANSA.

 

"Për shkak të kësaj, unë e vlerësoj shumë negativisht sjelljen e Zelenskyy-t", tha Berlusconi, duke shtuar se "Po të isha kryeministër, nuk do të kisha shkuar kurrë të flisja me Zelensky-n".

 

Berlusconi më tej tha se SHBA-ja duhet të bind udhëheqësin ukrainas të ndalojë luftën duke kërcënuar se do të reduktojnë ndihmën nëse ai nuk urdhëron një armëpushim.

 

Në këmbim, Biden duhet t'i ofrojë atij një plan të ri Marshall për rindërtimin e Ukrainës, shtoi ai.

 

Brenda një ore, zyra e kryeministrit italian iu përgjigj Berlusconit duke thënë: "Mbështetja e qeverisë italiane për Ukrainën është e fortë".

 

Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, i cili po ashtu është nga radhët e partisë "Forza Italia", shkroi në Twitter: "Forza Italia ka qenë gjithmonë për pavarësinë e Ukrainës, në anën e Evropës, NATO-s dhe Perëndimit"./AA