Shefi i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka uruar në një mënyrë mjaft të veçantë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

 

 

Ai zgjodhi që ta bëjë në shqip urimin e tij për festën e rëndësishme të kalendarit islamik.

 

“Në vijim të muajit të agjërimit, vetëreflektimit, ndarjes dhe sakrificës, dua t’ju uroj të gjithë anëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë festën e Bajramit. Me fat Bajrami”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

 

Pas një muaji abstenimi nga ushqimi dhe uji, myslimanët në të gjithë botën e kremtojnë fundin e Ramazanit me një festë. Fitër Bajrami është kremtimi që shënon fundin e agjërimit, dhe koha kur familjarë e miq bashkohen të festojnë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Zakonisht Fitër Bajrami zgjat për tre ditë, por në varësi të kulturave dhe vendeve të ndryshme ai mund të kthehet dhe në një festë një mujore.

 

Dita e parë e Bajramit zakonisht fillon me një lutje. Kjo është gjithashtu koha kur myslimanet inkurajohen të falin dhe të kërkojnë falje. Fitër Bajrami nuk duhet ngatërruar me Kurban Bajramin e njohur si festivali i sakrificës që pason përfundimin e Pelegrinazhit të Shenjtë vjetor të Haxhit.