Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar kërkesën e SPAK që i jep autorizimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, në hetim për aferën 'Partizani'. Tashmë, Berisha do të përballet me drejtësinë pa imunitetin e deputetit, ndërsa SPAK e ka rrugën e lirë për t’i vënë prangat.  

Berisha u braktis sërish edhe nga militantët e tij, të cilët ishin shumë të paktë në numër në protestën e zhvilluar para Kuvendit. Siç shihet edhe nga këto pamje që Report Tv sjell me dron, në protestë kanë marrë pjesë vetëm një grup i vogël militantësh, bashkë me të bijën Argita. Në pamje shihet se protestuesit janë më të paktë në numër se në protestën e zhvilluar ditën e hënë, kur u mblodh Këshilli i Mandateve.

Në këtë ditë të vështirë, krah Berishës nuk u pa as aleati i tij Ilir Meta, duke zgjedhur që ta lërë të vetëm në rrugën drejt arrestimit. Madje, edhe Gazment Bardhi i cili ka bashkëpunuar me Berishën në kaosin e Kuvendit nuk u pa në protestë, por ai e mori në mbrojtje Berishën me një status në rrjetet sociale

Në seancën që zgjati vetëm 9 minuta iu hap rrugë arrestimit të Berishës, ndërsa tashmë SPAK do t’i drejtohet GJKKO me kërkesën për shtrëngimin e masës nga 'detyrim paraqitjeje' në ‘arrest shtëpie’ ose ‘arrest në burg’.