Gjykata e Fierit, në seancën e mëngjesit të sotëm (21 dhjetor) ka caktuar ‘arrest me burg’ për shtetasit Shpëtim Kalemi dhe Pandeli Petani të cilët u ndaluan në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Vlera’ ku u gjetën e sekuestruan piktura dhe ikona me vlerën e 1.5 milionë eurove të trafikuara nga Greqia.
Në seancën e zhvilluar, i pandehuri Kalemi ka paraqitur kuponat e blerjes dhe zhdoganimit, duke mohuar akuzat ndaj tij për trafik të veprave arkeologjike me vlerë.
Në perfundim të seancës avokati i të arrestuarve, Ermal Hamataj ka deklaruar se e gjithë kjo është një “show” i nisur nga drejtoria e policisë së Fierit duke dënuar persona të paarsimuar në kushte ekstreme varfërie.
Sipas tij, të arrestuarit të cilët janë pjesëtarë të komunitetit rom, nuk e dinë as vlerën e ikonave dhe aq më pak të merren me trafikimin e tyre.
“Prokuroria dhe gjykata pretendojnë se ka më shumë prova lidhur me këtë çështje dhe se kanë bërë përgjime ambientale. Pritet ekspertimi. Megjithatë kam përshtypjen se e gjitha është një shoë. Kemi të bëjmë me persona të paarsimuar, që nuk ka shans të dinë vlerën e këtyre ikonave dhe veprave të artit. I kanë blerë me nga një apo 2 euro dhe i shesin në tregun vendas në këmbim të shumave të vogla monetare”- është shprehur mes të tjerave avokati.
Në 19 dhjetor, familjarët filmuan momentin kur policia hyri në banesën e anëtarëve të komunitetit rom, ku mbaheshin veprat e artit që dyshohet se janë trafikuar.
Kalemi 51-vjeç dhe Petani 57-vjeç akuzohen për veprat penale "Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës", "Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak" dhe "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", të kryera në bashkëpunim.
Ende nuk dihet kush është 'koka' e këtij trafiku. Ndërkohë, policia ka njoftuar se do të bashkëpunojë me autoritetet greke për të zbardhur dhe dokumentuar veprimtarinë kriminale dhe për kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Gjatë operacionit të zhvilluar ditë më parë, u sekuestrua edhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një peshore elektronike.
Ndërsa objektet e sekuestruara do te dërgohen për ekspertim pranë Ministrisë së Kulturës.