Aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa, sot feston 67-vjetorin. Xhepa, i biri i një tjetër ikone të kinematografisë shqiptare, aktores Margarita Xhepa, lindi më 21 janar 1957 në Tiranë. Pas mbarimit të studimeve për aktor, në Akademinë e Arteve, më 1979, fillon punën në Teatrin Kombëtar. Ka interpretuar rreth 40 role, nga të cilët veçohen interpretimet tek “Nata e dymbëdhjetë”, “Romeo e Xhulieta”, “Prometeu”, “Në jetë”, “Monserrati”, “Vdekja e një komisioneri”, “Nën dritat e skenës”, “Nesër është vonë”, “Shkallët” etj.
Në vitin 1995 ai fiton çmimin “Aleksandër Moisiu” për aktorin më të mirë për shfaqjen “Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër”.
Me shfaqjen “Kapitulli i Dytë”, ai fiton çmimin për “Aktorin më të mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit, “Apollon 2004”, në Fier. Që nga viti 1988 është pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Artit Skenik.
Në vitet ’90 interpreton role protagoniste edhe në produksione të pavarura në Shqipëri dhe hapësirat shqipfolëse.
Ndriçim Xhepa ka realizuar personazhe të spikatur që mbetën në kujtesën e publikut, edhe në kinematografi. Ai arriti sukses në rreth 30 filma: “Shokët”, “Kohë e Largët”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Përdhunuesit”, “Duaje emrin tënd”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Hije që mbeten pas”, “Flutura në kabinën time”, “Dasma e Sakos”, “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, “Unë e dua Erën” etj. Ai është gjithashtu tre herë fitues i Kupës për Aktorin më të Mirë në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000./ata