Këshilli i Ministrave vendosi dje kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara. Qeveria miratoi vendimin për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Elbasan, Vlorë, Kamzë-Vorë, Durrës, Zonat e Stimuluara dhe Kavajë. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 579 593 115,67 lekë, për sipërfaqen 68 958 m². Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Të ardhurat që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve, thuhet në vendim.