Në Tiranë u nënshkrua sot memorandumi i mirëkuptimit për krijimin e këshillit të përbashkët të biznesit midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, me qëllim lehtësimin e zhvillimit të biznesit duke identifikuar partnerë potencialë, tregje të reja dhe mundësi për zgjerim.
Marrëveshja u nënshkrua nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë përfaqësuar nga Ines Muçostepa dhe Federata e Dhomës Saudite, përfaqësuar nga Hassan Al – Huwaizi.
Në takimin e përbashkët, organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, ishte pranishëm një delegacion prej 50 biznesmenësh nga Arabia Saudite, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, përfaqësi diplomatike dhe komuniteti i përbashkët i biznesit.
“Shqipëria është e gatshme dhe e etur për të mirëpritur investimet dhe bashkëpunimin e huaj. Si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, jam i angazhuar personalisht t’ju shërbej në çdo mënyrë të mundshme për të eksploruar dhe ndjekur mundësitë e bashkëpunimit dhe investimesh në Shqipëri. Së bashku, le të shfrytëzojmë mundësitë që na presin dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme dhe më të begatë për të gjithë”, u shpreh ministri Gonxhja.
Ky forum i shërben më së miri ndërlidhjeve dhe urave të komunikimit për shkëmbime tregtare dhe lidhjeve të marrëdhënieve të biznesit, në të gjithë komponentët e saj, qoftë në eksport, import apo edhe çdo nevojë tjetër që i lind biznesit, tregtisë, bujqësisë, apo turizmit mes vendit tonë dhe Arabisë Saudite./ata