Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, do të vijë sot në një vizitë në Shqipëri ku do të ketë një takim edhe me kryeministrin Edi Rama.

Në fokus të vizitës është çështja e marrëveshjes mes dy vendeve për emigrantët.

Ministri i Jashtëm Italian pritet të vizitojë dhe Shëngjinin.

Gjykata Kushtetuese në 13 dhjetor mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët duke sjellë automatikisht pezullimin e saj deri në një vendim përfundimtar të dhënë nga gjykata.

Seanca e parë, pritet të mbahet në 18 janar, 2024 ku palët do të paraqesin pretendimet e tyre dhe më pas brenda 3 muajve, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim mbi marrëveshjen.

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane pak javë më parë dhe u dërgua në parlament për miratim.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.