Shqipëria ka dhuruar 1 milionë euro si mbështetje financiare për rindërtimin në Turqi pasi u godit nga tërmeti shkatërrues 7.9 ballë më 6 shkurt që shkaktoi mbi 35 mijë viktima.

 

Këtë e bëri me dije kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh i nderuar që u bë pjesë e fushatës sensibilizuese televizive “Turqia, një zemër”.

 

Në një lidhje telefonike teksa fushata sensibilizohej transmetohej në të njëjtën kohë në 13 kanale televizive në Turqi, Rama shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe deklaroi mbështetjen për popullin turk. Po ashtu kujtoi se si presidenti turk Erdogan iu gjend pranë popullit shqiptar në vitin 2019 kur vendi ynë u godit nga tërmeti që shkaktoi 52 viktima.

“Jam shumë i nderuar të jem pjesë e këtij programi sensibilizues, si përfaqësues i Shqipërisë. Vendi ynë mbajti të hënën një ditë zie kombëtare, për të shprehur solidaritetin dhe nderuar viktimat e tragjedisë Ne kemi dërguar ekipet tona të ndihmës dhe ushtarët për të bërë më të mirën. Sic e dini jemi një vend i vogël por me një zemër të madhe. 
Falë përpjekjeve fantastike të Turqisë jam i sigurt se do t'ia dilni.
Ne jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën për të mbështetur popullit turk. Nuk do ta harrojmë çfarë bëri Presidenti Erdogan për ne pas tërmetit të vitit 2019. Ne jemi me popullin turk. Në emër të popullit shqiptar ne duam të dhurojmë 1 milionë euro. E di që kjo nuk është asgjë, pasi nevojat janë shumë-shumë më të mëdha”, tha Rama.

 

Gjatë fushatës “Turqia një zemër”, vetëm brenda 2 orë e gjysmë u bënë 9 milionë telefonata dhe u grumbulluan të paktën 6.1 miliardë dollarë. Presidenti Erdogan është zotuar të vazhdojë me përpjekjet e shpëtimit për qytetarët që kanë mbetur ende nën rrënoja ndërsa procesi i rindërtimit do të nisë në muajin mars.