Sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW), vetëm mbështetja e vazhdueshme perëndimore për Ukrainën mund të ndalojë presidentin rus, Vladimir Putin të arrijë objektivat e tij ushtarake në territoret ukrainase.
Në një përditësim të fundit mbi konfliktin në Ukrainë, ISW tha se ushtria ruse ka dështuar në përpjekjet e saj për të shtyrë Ukrainën drejt humbjes, duke theksuar se mbështetja e vazhdueshme perëndimore është thelbësore për të frenuar synimet e Kremlinit.
Instituti gjithashtu shtoi se Kremlini po ndjek objektiva të pacaktuara për pushtimin territorial në Ukrainë, të cilat nuk përjashtojnë pushtimet e mëtejshme ruse.
ISW la të kuptohet se ndërprerja e ndihmës perëndimore për Ukrainën “ka të ngjarë ta dërgojë atë në kapitullim”, duke mos pasur mundësi e aftësi ta mbajë jashtë territoreve të saj ushtrinë ruse.
“Ndihma e vazhdueshme perëndimore fuqizon forcat ukrainase për të zmbrapsur sulmet ruse, dhe për të çliruar sa më shumë territore”, shtoi instituti sipas Sky News.
Teksa lufta është ende në zhvillim, humbjet njerëzore dhe materiale në ato territore vetëm po rriten, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga zonat e konfliktit.